Informatizimi i Laboratorëve të Informatikës në gjimnazin “A.Z.Çajupi” – Tiranë

unnamed

Më datë 10 Tetor, në kuadër të projektit “Shkolla si Qendër Komunitare – Ekosistemi i Edukimit për një Zhvillim të Qëndrueshëm” financuar nga Marrëveshja e Grantit e Borxhit për Zhvillim SËAP (IADSA) dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, u bë e mundur pajisja e laboratorëve të informatikës në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Tiranë me mjete bashkëkohore dhe të nevojshme për mbarështrimin e orëve mësimore.

Këtyre ambjenteve u shtuan mjete si: kompjutera e laptop me parametra të larta për të ndihmuar gjatë orëve të informatikës, projektor për tu përdorur për prezantime të ndryshme, fotokopje multifunksionale e cila do të ndihmojë në dixhitalizimin e librave apo materialeve të shkollës, televizor dhe DVD player për shfaqje e evente të organizuara në ambjentet e shkollës, etj.

Gjithashtu, u dorëzuan në shkollë materiale kancelarike të nevojshme për nxënësit, si: letra A4, CD dhe DVD, dosje, kapëse fletash, lapsa, stilolapsa, goma, vizore, etj. Duke konsideruar dhe nevojën për të patur një sallë polifunksionale të përshtatshme për prezantime, kofnerenca, etj., shkolla do të pajiset dhe me një sistem audio përfshirë bokse, amplifikator dhe mikrofon.

Së fundmi, risia ka të bëjë me pajisjen e laboratorëve të informatikës me Laboratorin Rinor të Elektronikës, ku çdo nxënës do të mund të kryej eksperimente të fushave të shumta, si në fizikë, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, teknologji, etj. Ata do të kenë mundësinë të kuptojnë më thjeshtë leksionet teorike, duke integruar punën praktike si pjesë të procesit të edukimit. Laboratori Rinor i Elektronikës përmban një kit të veçantë dedikuar mikrokontrollorëve Arduino e shumë elementëve të ndryshmë të kësaj pakete, ku nxënësit do të mund të mësojnë dhe të argëtohen në të njëjtën kohë duke përvetësuar bazat e programimit dhe të fizikës, si edhe duke qenë gjithnjë e më shumë pranë me procesin e përkrahjes së teknologjisë më të fundit në sistemet arsimore.

Posted in TIK